Nga Algjeria e Kameruni tek Maroku, krenaritë afrikane në kupat e botës!

Do të duhej të kalonte një gjysmë shekulli që ta shënonin emrin edhe ata. Kombëtaret nga Afrika ishte zakon të cilësoheshin si të pashpresët në kampionatet botërore, veçse në 1982 në Spanjë ndryshoi gjithçka. Kameruni i Rozher Millës dhe Algjeria e Rabah Maxherit shtangën gjigandët e Europës. “Luanët e panënshtruar” barazuan 3 ndeshjet e tyre në grup, duke spikatur sidomos ndaj Italisë, që thuajse e eliminuan, me Të Kaltrit që u shpallën kampionë të botës. Algjeria ishte edhe më e madhe me fitoren 2-1 ndaj Gjermaninë Perëndimore me golat e Rabah Maxherit dhe Belumit. Gjithsesi, guximi për më shumë do të vinte vetëm në 1990 në Itali.

Ishte sërish Kameruni me surprizën e jashtëzakonshme ndaj Argjentinës kampione e botës në “San Siro” me kërcimin e Omam-Bijikut. Rozher Milla 38-vjeçar udhëhoqi kamerunasit ndaj Kolumbisë, ndërsa u ndalën vetëm nga Anglia në çerekfinale, pas një sfide të paharrueshme që përfundoi 3-2. Tashmë, rruga ishte hapur. Në 1994 ishte Nigeria që arriti raundin e dytë duke kryesuar grupin ndaj Argjentinës e duke u dorëzuar vetëm pas kohës shtesë kundër Italisë. Çerekfinalen afrikane do ta shikonim sërish vetëm në 2002 në Korenë e Jugut dhe në Japoni, këtë radhë me Senegalin, që mposhti Francën kampione të botës në grup.

Më pas eliminoi Suedinë, por u ndal nga Turqia me golin e vdekjes në kohën shtesë. Në 2010, Afrika e Jugut respektoi të parin Botëror në kontinentin e zi, e që u mbajt pikërisht në stadiumet e saj, duke mundur Francën edhe pse nuk e kaloi grupin. Këtë e bëri Gana, e cila madje eliminoi edhe SHBA-në duke qenë ekipi i fundit afrikan që arriti çerekfinalet, deri përpara shkëlqimit të Marokut këtë vit në Katar, që tashmë mbërriti në gjysmëfinale.

Sfidanti.al