Në ceremoninë hapëse të Lojrave Olimpike Paris 2024, delegacioni shqiptar goditi në shenjë. Në gjuhën e marketingut, sot i quajnë të sukseseshme edhe gafat si ajo e Shqipërisë për të tërhequr vëmendjen por për ne si shqiptarë, me siguri parada kuqezi nuk ishte një shfaqje që duhet ta marrim si referencë. Pasi kompletuan një delegacion të bollshëm edhe pse me vetëm 8 sportistë e madje me mungesa trajnerësh për ndonjë prej garuesve, përfaqësuesit shqiptarë shfaplosën me krenari flamurin kuqezi në versionin kinez. I bërë i famshëm në festimet e 100 vjetorit të pavarësisë, kopja e shëmtuar e flamurit kombëtar, ai kinez me shqiponjat në versionin e patave, u shpalos “krenar” edhe nën hijen e rëndë të Kullës Eiffel. Me këtë flamur, Shqipëria do të kërkojë medaljen e parë historike në një olimpiadë. Nëse shprehja, “dielli duket që kur lind” do të aktualizohej në realitetin shqiptar, atëherë bëjmë mirë të mos mbajmë asnjë shpresë të Luiza, djemtë nga Dagestani apo te Franko pasi me siguri ky është një ogur i keq. Edhe në rastin më të mirë të suksesit me minimalisht një medalje, zyrtarisht ky sukses do t’i atashohej një flamuri që shqiptarët i ka përfaqësuar vetëm në tavolina parodish.
Nga Pirro Bardhyli