Napoli në versionin “kampion Europe”, Liverpul zgjohu ndryshe e ke keq!

Jurgen Klopi e gjeti batutën cinike për t’i dhënë përgjigje komenteve të Pep Guardiolës, por këtë nuk arriti ta bënte dot në “San Paolo”. Asnjë skuadër kampione e Europës nuk e kishte nisur me humbje sezonin pasardhës në 25 vjet, që nga Porto (jo më e Murinjos) në 2004! Napoli mundi titullmbajtësit 2-0, falë golave të vonshëm të Dris Mertensit me penallti dhe Fernando Jorentes, që të dy në 8 minutat e fundit, duke treguar se në një ndeshje të vetme mund të mposhtë këdo.

Natyrisht, nuk ndodhi asnjë tragjedi, dhe në një grup me Salcburgun e Genkun, anglezët mund të kualifikohen qoftë edhe nga vendi i dytë, por tashmë nuk i lejohet më asnjë gabim. Humbja ishte e rëndë për emrin e madh që ka Liverpuli, dhe për formën në Premier Ligë, ndonëse vjet u mund në Napoli dhe pastaj fitoi Championsin. Ishte, sidoqoftë, një disfatë ndryshe nga ajo e vjetshmja, pasi të kuqtë luajtën shumë më mirë dhe duhej ta kishin fituar ndeshjen deri kur Mertens shënoi me penallti. Gabime individuale të Robertsonit dhe Van Dajkut ndikuan, por Klopi me siguri që duhet t’u ketë folur ashpër lojtarëve pas ndeshjes.

Sfidanti.al