Ka qenë dikur një skuadër që u shtinte tmerrin kundërshtarëve kur shkonte dhe i vizitonte në shtëpi. Ishte Barcelona e Mesit, Ksavit dhe Iniestës, por edhe ajo e Mesit, Suarezit dhe Nejmarit, ndërsa sot është “e rënë nga vakti”. Skuadra e shquar katalanase tregoi në Dortmund se nuk tremb askënd në Europë, dhe në “Signal Iduna Park” u shpëtua nga portieri Ter Shtegen. Ishte gjermani që luajti rolin e Lionel Mesit, duke pritur penalltinë e Marko Rojsit, e duke bërë edhe ndërhyrje të tjera vendimtare, ndërsa Borusia vendase dha gjithçka për të fituar.
Ashtu si parvjet në Romë, si vjet në Liverpul, ekipi i Valverdes ishte pa shpirt dhe pa frymën luftarake, ku vetëm braziliani Artur mund të veçohej pas Ter Shtegenit. “Ekip pa identitet, – e quajti ish-kampioni i botës me Gjermaninë, Olaf Ton, – Barcelona nuk është bindëse”. Barazimi në Dortmund nuk mund të quhet dështim, por jo me lojë të tillë. Për më tepër, Barça vazhdon të shënojë shumë gola në shtëpi, dhe të pengohet jashtë, siç ndodhi në Bilbao dhe fushën e Osasunës. Në këtë mënyrë nuk fitohen titujt.
Sfidanti.al