Kështu bën shaka (që është gjysma e së vërtetë) “La Gazeta delo Sport”. Media kryesore e shkruar sportive në Itali nxjerr në plan të parë ritakimin Zhoze Murinjo-Kristiano Ronaldo, në sfidën Junajtid-Juventus. Pra batuta ishte se “nuk është se duheshim shumë atëherë”, sepse dy personalitetet e futbollit kaluan 3 vjet bashkë tek Reali dhe u ndanë keq.
Fillimet ishin edhe më të këqija, kur Murinjo shkoi tek Çelsi dhe CR7-ta ishte tek Junajtidi. “Ky djalë është pak si shumë pa edukatë”, – ishte komplimenti i atëhershëm i trajnerit. Tek Reali, gjithnjë e mbrojti, edhe pse grindeshin në dhomën e zhveshjes për taktikat jo krejtësisht sulmuese të Zhozesë.
“Kripë në plagë”, Murinjo i hodhi edhe më shumë kur deklaroi se “lojtari për të cilin jam lodhur më shumë për ta mbuluar, është Mesi, bota do të qajë kur ai të mbushë 32 vjeç”. Një ego e madhe si Ronaldo, këtë e merr si ofendim direkt.
Gjithsesi, historia e CR7-ës përballë Murinjos nuk është ndër më të mirat. Në 14 ndeshje të luajtura kundër tij, si lojtar i Junajtidit apo Realit, ka mundur të shënojë vetëm 1 gol.
Sfidanti.al