Shtatë ekipe kaluan turin sonte në Ligën e Kampionëve, dhe ata ishin Reali i Madridit, Juventusi, Bajerni, Mançester Junajtidi, Mançester Siti, Roma dhe Ajaksi. Ndoshta kualifikimi më dramatik ishte ai i Junajtidit, që erdhi në sekondat e fundit ndaj Jang Bojsit në “Old Traford”. Një gol në kohën shtesë i Maruan Felainit bëri që Zhoze Murinjo të tërbohej fare në festimin e tij, aq sa të ngrinte peshë një arkë me shishe plastike uji, dhe ta përplaste sërish përtokë.
Junajtidi rrezikonte të turpërohej nëse nuk shënonte gol, pasi do të ishte hera e parë që kjo ndodhte në 3 ndeshje radhazi në fushën e vet në Europë. Mendoi Felaini që të mos ndodhte, dhe që të mos ishte nevoja për ta luajtur kualifikimin në javën e fundit, në fushën e Valencias. Në këtë grup, kalon edhe Juventusi që ia doli 1-0 në Torino me Valencian, me gol të të zakonshmit Mario Manxhukiç,
Dramatike edhe ndeshja e Mançesterit tjetër, Sitit të Guardiolës në fushën e Lionit. Barazim 2-2, por duke u ndodhur dy herë në humbje, madje në minutat e fundit. Maksuel Korne shënoi dy golat për francezët (55’, 81’), ndërsa Ajmerik Laporte dhe Kun Aguero barazuan për miqtë, në 62’ e 83’. Lioni do të luftojë për kualifikimin me Shahtarin, pasi ukrainasit fituan 3-2 në Gjermani me Hofenhajmin.
Sukses i lehtë për Realin, që në Champions kthehet Madridi i vërtetë. Në “Olimpiko” ndaj Romës vendosën golat e Garet Bejlit dhe Lukas Vaskezit, por të dyja skuadrat e kishin kaluar turin që në përfundim të ndeshjes CSKA-Plzen, pas fitores së çekëve.
Ajaksi ia doli më herët, me fitoren 2-0 në Athinë ndaj AEK-ut, ndërsa Bajerni më në fund u tregua Bajern, duke dërrmuar Benfikën 5-1, me dy gola të Arjen Robenit, dy të Robert Levandovskit dhe një të Frank Riberisë.
Grupi E: AEK-Ajaks 0-2, Bajern-Benfika 5-1. Bajern 13, Ajaksi 11, Benfika 4, AEK 0.
Grupi F: Hofenhajm-Shahtar 2-3, Lion-Man. Siti 2-2. Man. Siti 10, Lioni 7, Shahtari 5, Hofenhajmi 4.
Grupi G: CSKA Moskë-Viktoria Plzen 1-2, Roma-Real 0-2. Reali 12, Roma 9, CSKA 4, Plzen 4.
Grupi H: Juventus-Valencia 1-0, Man. Junajtid-Jang Bojs 1-0. Juventusi 12, Junajtid 10, Valencia 5, Jang Bojs 1.
Sfidanti.al