Mrekullon Vedat Muriqi, realizon eurogol ndaj Real Betisit

Sulmuesi kosovar, Vedat Muriqi vazhdon të shkëlqejë në LaLiga, duke realizuar një gol spektakolar në përballjen e RCD Mallorca ndaj Real Betis. ‘Bomberi’ i Mallorca-s gjeti rrugën e rrjetës me një goditje mbresëlënëse me kokë, duke ngushtuar diferencën në rezultat në 1-2 në këtë duel të luftuar. Pas një harkimi të saktë nga Sergi Darder, Muriqi reagoi në mënyrë perfekte brenda zonës dhe, me pjesën e pasme të kokës, e dërgoi topin në rrjetë, duke lënë portierin kundërshtar të shtangur. Goli i sulmuesit kosovar u vlerësua si një eurogol i vërtetë, falë intuitës dhe teknikës së treguar në momentin final. Muriqi po konfirmon edhe një herë rolin e tij kyç te Mallorca, duke qenë pika kryesore e repartit ofensiv dhe një nga lojtarët më të rrezikshëm në ajër në kampionatin spanjoll. Me këtë realizim, ai vazhdon serinë pozitive dhe i jep skuadrës së tij shpresë në një ndeshje të rëndësishme, ndërsa tifozët e Mallorcas kanë edhe një arsye më shumë për të festuar formën e shkëlqyer të ‘yllit’ kosovar.

sfidanti.al