Mesi fiton kupën, por a do të qendrojë lojtari i dytë më i dekoruar në histori?

Suksesi ndaj Bilbaos në finale ishte mënyra më e bukur për t’iu afruar fundit të sezonit, dhe konfirmimi se nën drejtimin e kapitenit, Barcelona po krijon një skuadër të re të madhe. Katalanasit triumfuan 4-0 në Sevilje duke marrë Kupën e Mbretit, ndërsa Lionel Mesi shënoi dy gola duke qenë sërish në kulmin e formës. Pavarësisht se ishte 0-0 deri afër minutës së 60-të, sërish loja sulmuese e katalanasve arriti nivele të jashtëzakonshme, dhe Mesi u bë lojtari i dytë më i dekoruar në historinë e futbollit. Argjentinasi ka 37 trofe, po aq sa Iniesta e Maksuell, ndërsa i pari mbetet Dani Alvesh me 42. Kristiano Ronaldo ka 33 tituj në karrierë. Pyetja pas fitores në finale ishte: Cili do të jetë fati i atij që quhet lojtari më i madh në botë? Presidenti Laporta deklaroi se është i bindur që Mesi do të qendrojë tek Barcelona edhe pas këtij sezoni. Argjentinasi ka 31 gola këtë edicion, vetëm 1 më pak se Ronaldo, ndërsa 23 i ka në La Liga duke pretenduar sërish Këpucën e Artë.

Sfidanti.al