Mërgim Mavraj thotë “mjaft”, kombëtarja humb një nga legjendat e Euro 2016-ës!

Siç e thotë edhe vetë, çdo gjë ka një fillim dhe një fund. Një personalitet tërhiqet nga kombëtarja shqiptare dhe ky është Mërgim Mavraj. Mbrojtësi me origjinë nga Kosova vendosi të thotë “mjaft” në moshën 34-vjeçare pasi luajti për 8 vjet me ekipin përfaqësues, dhe pasi e veshi fanelën kuqezi për 50 ndeshje. Mavraj e lajmëroi vetë vendimin me një video të postuar në Instagram.

Qendërmbrojtësi, që luajti edhe për Shpresat e Gjermanisë, ishte një nga lojtarët kryesore të Shqipërisë së drejtuar nga Xhani De Biazi, duke ndihmuar edhe në arritjen e suksesit më të madh të kombëtares, kualifikimin në finalet e Euro 2016-ës, hera e parë dhe e vetme deri tani që është mbërritur ky nivel.

Gjithsesi, kohët e fundit, ai ka pasur dëmtime, që e kanë penguar të arrinte nivelin e tij të zakonshëm, duke e vënë në dyshim vazhdimësinë e tij në kombëtare. Trajneri Reja ishte duke parë për alternativa të tjera, dhe Mavraj vendosi të largohej. Ai do ta vazhdojë karrierën me klubet, ndërsa luan me Grojter Fyrtin në Bundesligën e dytë gjermane, në shtetin ku ka lindur dhe ku ka kaluar pjesën më të madhe të jetës futbollistike.

Sfidanti.al