Alegri në vend të Kontes? A duhet të ketë besim Interi tek “Maksi”?!

Për ata që besojnë në disa lloj teorish konspirative, ky do të ishte “largo një juventin, për të sjellë një tjetër në stol”. Në Itali janë të bindur se Masimiliano Alegri do të zerë vendin e Kontes tek Interi, dhe klubi zikaltër, mesa kuptohet, beson se do të ketë më shumë qetësi me “Maksin” sesa me të furishmin Antonio. Të paktën, kështu besojnë, dhe nuk do të ishte çudi, por vallë a duhet të ketë bindje presidenti Çan se Alegri do t’ia dalë mbanë aty ku Konte nuk mundi?

E vërtetë që kandidati për stolin ka dalë 5 herë kampion i Italisë, një herë me Milanin dhe 4 herë me Juventusin, por kush nuk është shpallur kampion me “Zonjën e Vjetër”? Edhe Konte e ka bërë, madje ishte ai që hapi rrugën për të tjerët në vitet 2011-2014, pra duke fituar tre tituj radhazi. Po ashtu, ky i fundit doli kampion me Çelsin në 2017, në një Premier Ligë ku merrnin pjesë Mançester Siti i Guardiolës, Liverpuli i Klopit, Arsenali i Vengerit, Mançester Junajtidi i Murinjos dhe Totenhemi i Poçetinos, madje doli edhe në finalen e Kupës së Anglisë, ku humbi ndaj Arsenalit.

Me kombëtaren italiane, në vitet 2014-2016, Konte bëri një punë të shkëlqyer duke arritur deri në çerekfinale të Euro 2016-ës, e duke u eleminuar vetëm pas penalltive me Gjermaninë kampione të botës. Konte arriti finalen e Ligës së Europës këtë vit me Interin, dhe e bëri pretendent për titull, edhe pse përfundimi me 1 pikë pas Juventusit nuk ishte diferenca reale mes dy ekipeve. Alegri ka dalë dy herë në finalet europiane, në Champions me Juventusin në 2015 e 2017, por gjithsesi është më e lehtë të arrish finalet me Juven sesa me zikaltërit. E sigurt, që me Alegrin nuk do të ketë konflikte me Marotën, por që të fitosh tituj me Interin duhet forcë e madhe karakteri, jo vetëm zgjuarsi, pra a do të mundet ai që t’ia kalojë Kontes? Nuk mund ta thuash me siguri që “po”!

Sfidanti.al