Asnjë pendesë, vetëm dashuri dhe respekt për të kaluarën. Kylian Mbappé, tashmë lojtar i Real Madridit, ka dërguar një mesazh të ngrohtë për Paris Saint-Germain pas fitores historike 5-0 ndaj Interit në finalen e Ligës së Kampionëve.
“Dita e madhe më në fund ka ardhur. Një fitore me stilin e një klubi të madh. Urime PSG!”, shkroi ‘ylli’ francez nga Madridi, duke përshëndetur suksesin e madh të skuadrës së Luis Enrique-s, edhe pse këtë herë vetëm si spektator. Vetëm verën e kaluar, pas disa përpjekjesh për të fituar trofeun më të madh evropian me PSG-në, Mbappé vendosi të largohej nga klubi parizien dhe t’i bashkohej Real Madridit, skuadër me më shumë traditë në Europë dhe që ai e kishte shprehur gjithmonë se e kishte për zemër. Largimi i tij bëri bujë të madhe, veçanërisht sepse ndodhi me parametër zero.
Tani, ndërsa përgatitet për të provuar sërish të fitojë Champions-in me Realin, Mbappé e sheh nga larg suksesin e atij klubi që i dha aq shumë dhe që ai e lavdëroi pa asnjë hidhërim. Gjest fisnik nga një kampion që nuk harron rrënjët.