Një nga legjendat më të mëdha në historinë e Bayernit të Mynihut, Lothar Matthäus, ka dhënë një deklaratë të fortë për Harry Kane, duke e cilësuar kapitenin e Anglisë si “sulmuesin më të mirë në botë”.
Në hapësirën e tij të opinionit për ‘Sky Sport’, ish-mesfushori gjerman vlerësoi lart polivalencën dhe ndikimin që Kane i jep lojës së bavarezëve. Sulmuesi anglez ka shënuar 19 gola dhe ka dhënë tri asistime në vetëm 11 ndeshje këtë sezon, ndërsa ka shtuar edhe tre gola në tri ndeshje me përfaqësuesen e Anglisë.
“Nuk shoh asnjë sulmues më të mirë në botë për momentin. Jo vetëm për golat që shënon, por për mënyrën si luan në disa pozicione. Kane ka cilësi në driblim dhe në ndërhyrje. Është golashënues, krijues lojërash, lojtar i zonës dhe mbrojtës, të gjitha në një,” – deklaroi Matthäus.
Legjenda gjermane është shprehur gjithashtu i habitur që Kane u rendit vetëm i 13-ti në garën për Topin e Artë. Sipas tij, nëse vazhdon me këtë formë, sulmuesi 32-vjeçar mund të jetë fituesi i ardhshëm i çmimit, por vetëm nëse sukseset individuale shoqërohen me trofe në nivel skuadre.
“Kur analizon paraqitjet e Kane, pyet veten pse ishte i 13-ti në Topin e Artë. Nëse vazhdon kështu, mund ta fitojë vitin e ardhshëm – por kjo varet edhe nga suksesi i Bayernit,” – shtoi ai.
Matthäus nuk nguroi ta krahasonte anglezin me Erling Haaland dhe Kylian Mbappé:
“Nuk kam parë kurrë Haaland apo Mbappé të rrëshqasin për të ndaluar një top në zonën e tyre siç bëri Kane kundër Dortmundit në minutën e 88-të. As nuk i kam parë të japin pasime 50-metërshe me saktësi si ai,” – theksoi gjermani.
Në fund, Matthäus i dërgoi një mesazh klubit bavarez:
“Bayerni duhet të rinovojë sa më shpejt kontratën e Kane, që skadon në vitin 2027.”
Kane, me 12 gola në 7 ndeshje të Bundesligës dhe një mesatare prej një goli çdo 54 minuta, po përjeton një periudhë të jashtëzakonshme, duke u kthyer në simbolin e ri të sulmit të Bayernit.
sfidanti.al