Xhudo, Shqipëria fiton shtatë medalje në Kampionatin Ballkanik për U-23

Një javë pas Kupës së Shqipërisë, Federata Shqiptare e Xhudos ka zhvilluar aktivitetin e radhës, këtë herë në rang rajonal, Kampionatin Ballkanik për grupmoshën U23. Në këtë eveniment të rëndësishëm që u zhvillua në pallatin e sportit “Asllan Rusi” në Tiranë, Shqipëria u përfaqësua me ekip të plotë, ndërsa arriti që të linte gjurmë, duke fituar disa medalje.

Kombëtarja kuqezi fitoi gjashtë medalje në rang individual, si dhe një medalje në gara ekipore. Më konkretisht, Erisa Brahimaj në peshat -57 kg dhe Gabriel Gonsan në peshat -60 kg, shkëlqyen me performancat e tyre, duke fituar medalje të arta. Ndërsa katër medalje të tjera ishin të bronzta, të cilat mbajnë firmën nga Dejvi Ceka (-60 kg), Desara Ndoci (-57 kg), Krista Kovaçi (-63 kg) dhe Fjoralba Marku (-63 kg).

Në garat ekipore, ekipi miks i Shqipërisë mori vendin e tretë, dukë bërë të tijin medaljen e bronzit. Kombëtarja kuqezi në Kampionatin Ballkanik u drejtua nga trajnerët Shkurt Çullhaj dhe Altin Pergjergji, ndërsa Shqipëria kishte edhe një gjyqtar tapeti, Erind Carën. FSHJ bën të ditur se ka marrë vlerësimet maksimale nga Federata Ballkanike e Xhudos për organizimin në mënyrë perfekte të këtij kompeticioni.

sfidanti.al