Sipas raportimeve të fundit, Bayern Munich po shqyrton mundësinë për të rikthyer në radhët e veta talentin turk, Kenan Yildiz, aktualisht lojtar i Juventusit.
Sulmuesi 20-vjeçar ka qenë një prej zbulimeve më të mëdha të Serisë A në dy sezonet e fundit, duke tërhequr vëmendjen e shumë klubeve të mëdha evropiane, përfshirë emra si Liverpool, Manchester United, Arsenal dhe Borussia Dortmund. Yildiz ka lindur në Regensburg dhe iu bashkua akademisë së Bayernit që në moshën shtatëvjeçare, duke kaluar mbi dhjetë vite në sistemin e të rinjve të bavarezëve. Në vitin 2022, ai vendosi të largohej drejt Juventusit në kërkim të më shumë hapësirave për zhvillim.
Në Torino, ai është shndërruar në një element të rëndësishëm të skuadrës së Igor Tudor-it, duke fituar statusin e titullarit dhe duke u konsideruar si një nga lojtarët më premtues të futbollit italian.
Rikthimi në Mynih, një operacion i vështirë
Megjithatë, rikthimi i mundshëm në “Allianz Arena” nuk do të jetë i lehtë. Yildiz ka kontratë me Juventusin deri në vitin 2029, ndërsa vlera e tij në treg, sipas medieve italiane, llogaritet rreth 90 milionë euro.
Në momentin e largimit nga Bayerni, vendimi i tij u lidh me mungesën e hapësirës në ekipin e parë, pasi përpara tij qëndronin emra të mëdhenj dhe të konsoliduar.
Tani, me konkurrencën edhe më të fortë në ofensivën bavareze, mbetet për t’u parë nëse lojtari do të tundohet nga ideja e një rikthimi te klubi ku nisi gjithçka.
Në çdo rast, interesi i Bayernit konfirmon reputacionin gjithnjë në rritje të Kenan Yildiz, që është bërë tashmë një nga ‘yjet’ më të ndjekur të brezit të ri në futbollin evropian.
sfidanti.al