Maradona: Jam 56 vjeç, por kurrë s’kam parë si Mesi!

Ai vetë cilësohet nga shumëkush si futbollisti më i madh i të gjitha kohëve. Diego Armando Maradona nuk e ka pasur kurrë modestinë të tepruar që të thoshte ndryshe. Gjithsesi, argjentinasi legjendar herën e fundit foli për një tjetër argjentinas, Lionel Mesin. Fjalët e tij ishin të forta. “Jam 56 vjeç dhe kurrë në jetën time nuk kam parë një lojtarë të nivelit të Mesit, – tha Diego, – nuk mund të toleroj njerëzit që nuk e vlerësojnë sepse nuk ka fituar një Botëror. Futbolli nuk vlerësohet kështu”.

Maradona fitoi Botërorin e 1986-ës në Meksikë, siç thuhet “i vetëm”, ndonëse Argjentina luajti si skuadër në mbështjetje të yllit të saj të madh, ndërsa në stol kishte një strateg si Karlos Bilardo. Mesi nuk ka mundur, ndonëse arriti në finale  në Brazil tri vjet më parë, veçse Leo ka shënuar më shumë gola, ka dhënë më shumë asistë dhe ka fituar më shumë trofe me Barcelonën sesa “El Pibe de Oro” në karrierë. Ka vetëm diçka në të cilën Mesi nuk i ngjan Maradonës, pasi ai nuk është i prerë për të qenë kapiten.

Sfidanti.al