Kanë kaluar 10 vjet, aq sa po i duhen Pep Guardiolës për t’u kthyer në finalen e Championsit. Edhe Mançester Junajtid ka qenë për një dekadë një “perëndi e rrëzuar e stepës”, por më në fund ky makth po përfundon. Tifozët e zjarrtë në të gjithë botën (padyshim edhe në Shqipëri) po festojnë të çliruar ndërsa “djajtë e kuq” mundën Romën 6-2 dhe thuajse e prekën finalen e Ligës së Europës. Një triumf si ai 7-1 i arritur po ndaj Romës në 2007 nën drejtimin e Sër Aleks Fergusonit!
Edhe pse ishte ndeshje me dy fytyra sërish, Junajtid e meritoi suksesin, arritur pas një pjese të dytë “atomike” ku shënoi 5 gola dhe ktheu rezultatin 1-2. U duk se një ish-yll i Sitit si Edin Xheko do të shkaktonte tragjedinë e radhës, por jo. Edinson Kavani, Bruno Fernandes, Pol Pogba, Mejzën Grinvud ishin emrat që realizuan golat. Uruguajani dhe portugezi shënuan nga dy! Ole Gunar Solskjer po e thyen më në fund mallkimin e gjysmëfinaleve ku ka humbur gjithnjë deri tani. Për Romën ishin shumë pak golat e Pelegrinit (penallti) dhe Xhekos.
“Nuk mendoj se e kemi kryer punën, – tha Ole, – por, mendoj se ishte një punë e kryer mirë. Fituam thellë, por e dimë se Roma ka cilësi, shënoi dy gola nga dy shanse që ne i lejuam, ndërsa ndaj Ajaksit nuk është se patën shumë raste. Pjesa e dytë ishte shumë e mirë. Jam i lumtur për lojtarët e mi, sepse nuk e humbën toruan edhe pasi pësuam dy gola. Ne kemi shumë krijimtari, fantazi në ekip, problemi nuk është se kush duhet të luajë, por se cili nuk duhet të luajë. Më vjen keq që Mejzën Grinvud nuk luajti më shumë, por është fjala për ekulibrin. Diferenca jonë ishte se këtë herë i shfrytëzuam më mirë rastet”.
Në gjysmëfinalen tjetër, Vijarreali fitoi me meritë 2-1 ndaj Arsenalit, por nuk ka asgjë të sigurt. Trigeros dhe Albiol shënuan për vendasit në 30 minuta lojë, londinezët mbetën me 10 vetë kur Sebajos doli me të kuqe në 57’, por Nikolas Pepe shkurtoi diferencën në 73’ dhe spanjollët po ashtu mbetën me 10 vetë kur Etien Kapue doli me të kuqe në 80’.
Mançester Junajtid: De Gea, Uan-Bisaka, Lindelof, Megajer, Shou, Mektominai, Fred (Matiç 83’), Rashford (Grinvud 76’), Fernandes (Mata 89’), Pogba, Kavani. Tr. Solskjer
Roma: Lopez (Mirante 28’), Smolling, Kristante, Ibanjez, Karsdorp, Diauara, Veretut (Vijar), Spinacola (Perez 37’), Pelegrini, Mkitarian, Xheko. Tr. Fonseka.
Sfidanti.al