Do të kthehet aty ku provoi suksesin më të madh. Romelu Lukaku do të jetë sërish një futbollist i Interit, me klubin italian që arriti marrëveshjen me Çelsin e Londrës. Mediat në Apenine shkruajnë se zikaltërit do të paguajnë 10 milionë euro për huazimin e sulmuesit të Belgjikës, një akord mjaft i mirë duke qenë se klubi anglez kërkoi fillimisht më shumë se 20 milionë euro. Çelsi e mori Lukakun për 115 milionë euro verën e kaluar, në një nga transferimet më të mëdha në futboll për të gjitha kohët, por sërish Anglia nuk ishte fati i belgut.Ai shënoi pak gola, ishte për një kohë të gjatë në stol, duke mos arritur të përshtatet me skemat e trajnerit gjerman, Tomas Tuhel.
Edhe kur iu dha rasti për të luajtur, ai tregoi mungesë sigurie duke humbur raste të pastra, në Champions, Premir Ligë apo në Kupën e Anglisë. Jo vetëm kaq, por ai foli edhe publikisht duke shprehur hapur pakënaqësinë dhe përplasjet me trajnerin. Për këtë arsye, 29-vjeçari bëri ç’mos që të kthehej tek Interi, dhe besohet se e ka ulur ndjeshëm rrogën, nga rreth 15 milionë euro në vetëm 8 milionë euro, në mënyrë që Interi ta përballonte financiarisht. Lukaku fitoi titullin kampion në Itali në 2020-2021, madje duke u shpallur edhe Lojtari më i mirë i sezonit. Sulmuesi shpreson ta përsërisë këtë sukses, edhe pse në stolin e Interit nuk do të jetë Antonio Konte, por Simone Inzagi.
Sfidanti.al