Liverpuli rrezikon Championsin pas humbjes me Çelsin në “Anfild”

Pep Guardiola e tha me shumë qetësi se Mançester Siti fiton sepse ka shumë para për të shpenzuar. Katër sezonet e fundit në Premier Ligë i kanë dhënë të drejtë, ndërsa e kanë bërë Jurgen Klopin që të mendohet. Nëse “qytetarët” po fitojnë titullin e tretë në katër vjet dhe të 5-in në më pak se një dekadë, Liverpuli nuk po arrin të mbrojë dot titullin e fituar vjet, pasi vuajti 30 vjet pritje për t’ia dalë. Jo vetëm kaq, por humbja me Çelsin 0-1 këtë të enjte, e pesta radhazi në “Anfild”, tregoi sesa lehtë mundet “makineria e kuqe” të pësojë “defekt” e të mbetet rrugës, aq sa tani rrezikohet seriozisht kualifikimi për në Champions.

Nuk paska qenë rastësi që Liverpulit iu deshën 30 vjet për titullin, ndërsa Premier Liga është dominuar nga Mançester Junajtidi, Mançester Siti, Arsenali dhe Çelsi, katër klube me shumë më tepër para sesa të kuqtë. Këtë sezon mjaftuan disa dëmtime të lojtarëve të rëndësishëm në mbrojtje, por edhe në mesfushë e në sulm, që Klopi të mos kishte alternativa. Ndaj Çelsit të Tomas Tuhelit vendosi goli i Mejzën Mauntit, dhe tani Blutë e Londrës janë në vend të katërt, me Evertonin e Ançelotit shumë pranë. Liverpuli kërcënohet edhe nga Uest Hemi e Totenhemi, në një sezon tepër të vështirë ku shpresa e vetme mbetet Championsi, ndërsa një faktor vendimtar është mungesa e publikut në “Anfild”, pasi vetëm tribuna “Kop” mjaftonte për të ekuilibrur pabarazinë e madhe financiare me rivalët.

Sfidanti.al