Nuk ishte e lehtë, por gjithçka përfundoi siç duhet, me mbi 52 000 tifozët në stadiumin “Anfild” që dolën nga impianti me zemër të lehtësuar. Liverpuli fitoi 2-0 ndaj Uatfordit dhe u ngjit në kuotën e 72 pikëve duke bërë detyrën. Kjo ishte fitorja e 10-të radhazi e të besuarve të trajnerit Jurgen Klop në kampionat, ndërsa më pas do të kenë ndeshjet ndaj Benfikës në Champions dhe Mançester Sitit në Premier. Zhota shënoi nga aksioni, ndërsa Fabinjo ktheu në gol një 11-metërsh pranë fundit.
Klopi luajti me një formacion të fortë, ndonëse la jashtë lojtarë të tillë si Mane apo Aleksandër-Arnold. Fabinjo hyri në fushë vetëm në (62’), ndërsa Salah zuri vëndin e Manesë. Ashtu siç pritej, ndeshja ishte tepër e vështirë për shkak të ngarkesës psikologjike, por edhe të lodhjes fizike nga një sezon i ngarkuar, me shumicën e lojtarëve që u kthyen pasi luajtën me ekipet kombëtare. Të kuqtë e dominuan sfidën, siç edhe pritej (73 për qind mbajtje topi), veçse mbrojtja e fortë e Uatfordit bëri që shumë pak gjuajtje të ishin në kuadrat (3 në 20), thuajse barabar me miqtë. Pas fitores, Liverpuli arriti në 72 pikë ndaj 70 të Sitit, që luajti më pas në fushën e Bërnlit.
Sfidanti.al