Le të mos e quajmë, të paktën, këtë herë, me emrin e zakonshëm. Skuadra mike triumfuan në Ligën e Europës, dhe çerekfinalet e saj thuajse janë të ditura. Mançester Junajtidi fitoi thellë 5-0 në Austri ndaj LASK-ut të Lincit, Bazeli habiti të madh e të vogël duke mundur gjysmëfinalistin e vjetshën, Ajntrahtin e Frankfurtit, 3-0 në Gjermani, ndërsa Bajer Leverkuseni mori një fitore thuajse kualifikuese në Skoci, 3-1 me Gllazgou Rejnxhërsin. Në fund (jo për nga rëndësia), Shahtari i Donejckut tregoi gjithë përvojën e tij me suksesin 2-1 në Gjermani ndaj Volfsburgut. E vetmja skuadër shtëpie që fitoi ishte Istanbul Bashaksehirsporti, që theu FC Kopenhagenin 1-0 me golin e boshnjakut Edin Vishça, ndërsa Olimpiakosi mbajti barazimin në Pire ndaj Uolvesit anglez, ndonëse luajti për mbi një orë me 10 vetë.
Lojtari i kombëtares shqiptare, Taulant Xhaka, ishte në fushë titullar për Bazelin, duke mos marrë karton të verdhë. Ylli i ri i Kosovës, Edon Zhegrova hyri si zëvendësues në fund, ndërsa Orges Bunjaku ishte në stolin e zviceranëve duke mos luajtur këtë herë. Samuele Kampo, Kevin Bua dhe Fabian Fraj ishin autorët e golave. Mançester Junajtidi e vazhdoi momentin e shkëlqyer, dhe pas fitores 2-0 në derbin me Sitin, dërrmoi LASK-un 5-0 në Austri. Portugezi Bruno Fernandez u krahasua me Kevin De Brujnin, ndërsa golat u shënuan nga Ighalo, Xhejms, Mata, Grinvud dhe Pereira. Leverkuseni, ndërkaq, tregoi diferencën mes Bundesligës dhe Premier Ligës së Skocisë duke mos diskutuar suksesin me Rejnxhërsin. Kai Haverc, Aranguiz dhe Bejli shënuan për gjermanët, dhe Edmundson shkurtoi përkohësisht në 1-2 për skocezët.
Turi i tretë:
Ajntraht Frankfurt-Bazel 0-3, Istanbul Bashaksehirspor-FC Kopenhagen 1-0, LASK Linc-Mançester Junajtid 0-5, Olimpiakos Pire-Uolves 1-1, Rejnxhërs-Leverkusen 1-3, Volfsburg-Shahtar Donjeck 1-2, Sevilja Roma dhe Inter-Getafe të shtyra.
Sfidanti.al