Liga e Europës, “qesh” Skënderbeu, por “qan” Tirana ndaj Makabit të Izraelit

Skuadrat shqiptare kanë njohur kundërshtarët në kupat kontinentale të këtij sezoni. Kukësi do të ndeshet me skuadrën e Moldavisë, Sherif, në turin e dytë eleminator të Ligës së Kampionëve. Ndeshja e parë do të luhet në Moldavi në 11-12 korrik, dhe ajo e kthimit në 18-19 korrik në “Elbasan Arena”.

Shortin më të mirë nga skuadrat shqiptare e pati Skënderbeu, që do të ndeshet në Ligën e Europës, me ekipin Sent Zhulia nga Andorra. Për korçarët pritet kualifikim i sigurt për në turin e dytë. Më të vështirë do ta kenë Partizani dhe Tirana. Nënkampionët e Shqipërisë kanë përballë skuadrën bullgare, Botev, dhe nuk pritet e lehtë ndaj një kundërshtari që luan në një kampionat më të fortë sesa Superliga jonë.

Po ashtu, shumë e vështirë duket përballja për Tiranën. Kryeqytetasit, që kanë rënë nga kategoria, do të ndeshen me Makabin e Tel Avivit nga Izraeli, një kundërshtar që cilësohet si favorit ndaj ekipit shqiptar. Ndeshjet e turit të parë të Ligës së Europës luhen në datat 29 qershor dhe 6 korrik.

Sfidanti.al