Levandovski përmbys Dortmundin, fiton duelin me Halandin!

Nuk kishte nevojë t’i tregonte kujt sesa vlen, por në çdo ndeshje ai ka një synim tjetër: Të luajë sa më mirë, të shënojë gola dhe të fitojë! Ky është “zanati” i Robert Levandovskit dhe ai është gjithnjë i përgatitur për ta bërë të vetën, siç ndodhi edhe në “Der Klasike”-n ndaj Dortmundit. Bajerni kaloi një tronditje të vërtetë, pasi Borusia u ndodh në avantazh të dy golave në vetëm 9 minuta, por për fat polaku ishte në fushë. Levandovski fitoi edhe duelin e madh ndaj Erling Halandit, i cili po ashtu ishte i shkëlqyer, dhe në moshën 20-vjeçare mund të jetë krenar që mund të matet sy më sy me lojtarin më të mirë të botës.

Sulmuesi bavarez realizoi tri herë në fitoren 4-2 të Bajernit në “Alianc Arena”, duke iu afruar edhe më shumë rekordit të Gerd Mylerit, dhe duke i siguruar skuadrës së Hansi Flikut vendin e parë në Bundesligë edhe pas fitores së shkëlqyer 3-0 të Lajpcigut në fushën e Frajburgut. Gara për titull duket se do të jetë e fortë deri në fund, edhe pse kampionët cilësohen gjithnjë favoritë. Levandovski barazoi që në pjesën e parë duke shënuar në 26’ e 44’ (me penallti). Gjithsesi, për të marrë fitoren u desh të pritej deri 2 minuta para fundit, në 88’, kur Gorecka shënoi për 3-2 ndërsa Leva sigloi shifrat me golin në sekondat shtesë. Bajerni ka 55 pikë ndaj 53 të Lajpcigut, ndërsa Dortmundi pavarësisht 19 golave të Halandit në kampionat, rrezikon të mos shkojë në Champions pasi ndodhet në vendin e 6-të me 39 pikë.

Sfidanti.al