Lajmërim tronditës në rrjetet sociale! Priten lajme nga Shumaher!

“Mirësevini në shoqërinë e Mikaelit”. Ky ishte postimi në rrjetet sociale, Fejsbuk e Instagram, që tronditi botën e Formula 1 dhe të sportit. Për herë të parë pas 4 vjetësh, faqja e Mikael Shumaherit u bë e gjallë, edhe pse ajo që i ftonte njerëzit në “paddock” ishte menaxherja e tij, Sabinë Kem. Plot 1 milionë përgjigje erdhën pas këtij lajmërimi, ndërsa spekullimi mediatik flet për lajme të rëndësishme që mund të vijnë shpejt nga shtatë herë kampioni i botës.
Çfarë mund të jenë këto lajme? E vështirë të thuhet, por duhet të jenë lajme të mira. Familja ka ruajtur me sekret të plotë çdo të dhënë nga rikuperimi i mundimshëm i Shumit prej dëmtimeve të rënda të aksidentit tragjik të dhjetorit 2013. U spekullua se gjermani 47-vjeçar kishte arritur të ngrihej në këmbë, por kjo u hodh poshtë nga familja. Një lajm i sigurt është se ai ende nuk mund të flasë, por përmirësime ka. E pohojnë këtë, ish-shefi i tij dhe miku i tij, Ros Braun, por edhe ish-presidenti i Ferrarit, Luka Kordero di Montexemolo.
B. Kuka