Kupa e Kombeve dhe tmerri i Sudanit

Ndërsa Kombëtarja e Sudanit po merr pjesë në Kupën e Afrikës dhe është në garë për të siguruar kualifikimin në fazën e 1/8-ve, realiteti në vendin e tyre mbetet dramatik. Pas ndeshjeve dhe emocioneve në fushë, fshihet tragjedia e një populli që prej kohësh jeton nën hijen e luftës civile.

Një nga protagonistët e kësaj përfaqësueseje është John Mano, sulmues 24-vjeçar i Sudanit, i cili ka ndarë publikisht një histori tronditëse personale. Mano ka rrëfyer se ka humbur mikun e tij më të ngushtë, Medo, i vrarë në mënyrë brutale gjatë konfliktit, pasi është qëlluar 25 herë.

Ashtu si ai, sipas vlerësimeve, mbi 150 mijë persona kanë humbur jetën që nga shpërthimi i luftës civile në prill të vitit 2023. Përplasja për pushtet mes ushtrisë sudaneze dhe forcave paramilitare ka detyruar më shumë se 12 milionë qytetarë të largohen nga shtëpitë e tyre, duke shkaktuar një krizë të thellë humanitare, me uri të përhapur dhe raportime alarmante për gjenocid.

Në këto kushte, futbolli ka kaluar në plan të dytë: stadiume të shkatërruara, kampionati kombëtar i pezulluar dhe një popullsi që lufton çdo ditë për mbijetesë. Vetë Mano ka pranuar se shumë njerëz në Sudan nuk kanë as ushqimin minimal për të jetuar.

Trajneri i Kombëtares së Sudanit, Kwesi Appiah, ka qenë i detyruar t’i bindë futbollistët të luajnë edhe pa garanci financiare, duke u qëndruar pranë në momente dhimbjeje për humbjet e familjarëve të tyre.

Sudani prej vitesh ndodhet në një situatë tragjike. Megjithatë, përfaqësuesja kombëtare mbetet një simbol shprese, duke u përpjekur që përmes futbollit t’u dhurojë qoftë edhe një çast gëzimi atyre që sot nuk kanë pothuajse asgjë.