Kristiano Ronaldo mbetet i fortë, por tashmë në rënie!

Ambicia nuk e lë të qetë, veçse në pjesën më të madhe ai e ka ngopur. Kristiano Ronaldo ka bërë luftë të gjatë me karakterin e tij fitues që dëshironte sukses edhe në gjumë duke parë ëndrra, dhe duke shtrydhur deri në fund fizikun e tij të mrekullueshëm. Tani, në moshën 32-vjeçare portugezi nuk është më, në nivelet e tij të zakonshëm, të paktën sipas statistikave.

CR7 po shënon me mesatare 0.89 gola për ndeshje, nivel shumë i mirë për çdo lojtar përveç tij dhe Mesit, por gjithsesi poshtë atyre shifrave ku ishte mësuar. Ai po jep vetëm 0.23 asiste për ndeshje, dhe kurrë nuk mbahet mend të ketë qenë kaq poshtë. Në 2014-2015, Ronaldo dha 0.45 asiste për ndeshje. Këtë vit ai krijon 1.03 raste për ndeshje, një alarm i vërtetë, pasi edhe vjet kishte sezonin më të keq, por me 1.44 raste në takim.

Në zbritje të fortë edhe prekjet e topit gjatë sfidave. Në vitin e parë tek Reali kishte 72 prekje për 90 minuta, më pas nisën të zbrisnin dhe tani ka arritur në 45. Kristiano, gjithsesi, mbetet shumë lart dhe mediat britanike e krahasojnë me drejtë me Hazarin, lojtarin që mund të merret nga Reali. Hazar ka një gol në 267 minuta, Ronaldo të paktën në 90, Hazar jep asist çdo 483 minuta, ndaj 256 minutave të Ronaldos. Portugezi mbetet në krye të ligës spanjolle me Realin, dhe në çerekfinale të Championsit.

Sfidanti.al