Ka qenë dikur futbollist i Bajernit, madje nga më të mirët. Në vitet 90-të, tifozët e adhuronin Mehmet Sholin, me baba gjerman dhe nënë me prejardhje turke (që kishte emrin e gjyshit), aq sa në stadiumin e vjetër “Olimpiashtadion” vendosej banderola: “Bajerni luan mirë vetëm me Sholin” (“Nur mit Scholl, spielt Bayern toll”). Sot, ky Mehmet Shol ka marrë përsipër të thotë mendimin e tij në një program radiofonik personal, dhe herën e fundit u mor me yllin e sotëm të Bajernit, Xhoshua Kimih.
“Ai më duket si Greta Tunbergu i futbollit gjerman, – u shpreh 49-vjeçari, – çdo intervistë dhe deklaratë e tij më duket përtej limitit. Hajde pra, çfarë do të thotë kjo? Në moshën 24-vjeçare, ai mendon se mund të vendosë gishtin në plagët e Bajernit, por mua më duket e vështirë. Ai duhet ta meritojë më përpara. Natyrisht, ai luan shumë mirë, por është ende shpejt. Ai nuk është ende një Shvajnshtajger”.
Kimih ka bërë disa herë kritika, sidomos pas humbjes 1-2 në Gladbah, duke thënë “ata që mendojnë se do ta kemi të lehtë për të fituar titullin, dhe do ta fitojmë ashtu si vjet, janë në rrugë të gabuar, nuk e kanë idenë e realitetit”. Pas fitores 7-2 në fushën e Totenhemit, Kimih u pyet nëse do të vazhdonte të kritikonte dhe ai nuk la dyshime: Patjetër, askush nuk mund të më përkulë mua”. Trajneri Hansi Flik, i pyetur për këtë, deklaroi se i pëlqejnë lojtarët që e thonë mendimin e tyre, dhe se e vlerëson lart Kimihun.
Sfidanti.al