Kovaç ka një plan për Bajernin: Nuk do të përfundojë 0-0!

Detyra numër 1 është që skuadra duhet të mos ketë presion dhe të kënaqet kur të dalë në fushën e lojës. Duket e vështirë që të realizohet kjo këshillë e trajnerit Niko Kovaç, por futbollistët e Bajernit kanë aq përvojë sa të përballojnë stresin e jashtëzakonshëm të ndeshjes vendimtare në Champions ndaj Liverpulit.

Detyra numër 2 është që të mos u hiqen sytë për asnjë moment tre sulmuesve të Liverpulit, Salah, Mane dhe Firmino, që mund të shkaktojnë dëm në çdo sekondë. “Duhet të hyjmë të përgatitur që në fillim, – thotë Kovaç, – pasi për trajnerin është e vështirë të ndikojë gjatë ndeshjeve të tilla”.

“Nuk duhet të mendojmë rezultatin 0-0, – vazhdoi trajneri bavarez, – duhet të mendojmë vetëm për të fituar ndeshjen. Pavarësisht nga përmirësimi i javëve të fundit, dua ta shoh skuadrën edhe më luftarake”.  Kovaç po bën llogaritë me formacionin dhe besohet se Alaba e Koman do të jenë gati, por që nga minuta e parë pritet ta nisë Frank Riberi, ai që dha 3 asistë në 9 minuta në ndeshjen e fundit të Bundesligës. “Këto janë ndeshjet e Frenkut, janë ndeshjet e mëdha në elitën europiane”, – komentoi Niko Kovaçi.

Sfidanti.al