“Kosova është Serbi” mund t’i kushtojë shtrenjtë Rumanisë, UEFA hap hetim

Kosova nuk e ka humbur shpresën se mund të përfitojë në “tavolinë” pas ngjarjeve të turpshme të Bukureshtit. UEFA njofton zyrtarisht se ka hapur hetimet për 6 akuza konkrete dhe më pas do të marrë një vendim. Akuzat janë: “Mesazhe provokuese me karakter fyes për thirrjet, pankartat, sjellje raciste, flakadanë, hedhje e sendeve në fushë dhe bllokim i zonave publike”. Ndeshja Rumani-Kosovë, e vlefshme për eleminatoret Euro 2024 u ndërpre për rreth një orë për shkak të parrullave diskriminuese dhe thirrjeve raciste të tifozëve. Që në nisje të ndeshjes, gjatë interpretimit të himnit të Kosovës, tifozëve ultras, ka patur thirrje “Serbi, Serbi”, të cilat organizatorët në stadium janë munduar t’i fshehin duke ngritur zërin e altoparlantëve. Në minutën e 17-të, ultrasit rumunë të grupimit “Uniçi Sub Trikolor” ndezën fishekzjarrë dhe hapën një parullë në të cilën shkruhej ”Besarabia është Rumania /Kosova është Serbi”.

Ky mesazh,  që bënte paralelizmin mbi pretendimet e Rumanisë mbi rajonin e pretenduar të Besarabias me pretendimet e Serbisë ndaj Kosovës, ishin një mesazh dhe provokim politik dhe gjyqtari dhe delegati i ndeshjes i kanë dhënë fund shpejt dyshimeve dhe kanë kthyer skuadrat në dhomat e zhveshjeve. Megjithatë, pas 52 minutash ndërprerje dhe paralajmërimit të gjyqtarit të ndeshjes se një tjetër përsëritje e koreve dhe parrullave diskriminuese se ndeshja do të ndërpritej përfundimisht, ajo ka rifilluar dhe takimi ka përfunduar me fitoren 2-0 të Rumanisë.

Sfidanti.al