Kombëtarja në Euro 2024, rikthehet Armando Sadiku!

Një gol i tillë nuk do të harrohet kurrë, dhe emri i shënuesit ende mbetet i rëndësishëm. Armando Sadiku, autori i rrjetës së vetme, që solli fitoren e vetme të Shqipërisë në fazën finale të një Kampionati Europian, është sërish pjesë e kombëtares. Sulmuesi 31-vjeçar është thirrur në kombëtare nga trajneri Silvinjo, për ndeshjet eliminatore të Euro 2024-ës ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe. Kjo për shkak edhe të mungesave në repartin ofensiv, me Manajn e Brojën që janë jashtë liste. Rikthim në kombëtare edhe për Ernest Muçin, sulmuesin e Legias së Varshavës, që ka zhvilluar një sezon të spikatur në Superligën e Polonisë. Marash Kumbulla mbetet i dëmtuar për një kohë të gjatë, ashtu si Armando Broja.

Pjesa tjetër e lojtarëve është ajo e zakonshmja, ndonëse shqetësimi për portën mbetet sepse Etrit Berisha dhe Tomas Strakosha nuk kanë luajtur aspak, veçse janë thirrur edhe Kastrati e Simoni. Në ekip, Hysaj, Balliu, Gjimshiti, Ismajli, Asllani, Bajrami, Bare, Cikalleshi apo Uzuni, me shpresë që të mos ketë probleme të tjera dëmtimesh. Nga Superliga shqiptare është vetëm Andi Hadroj i Partizanit. Kombëtarja pret Moldavinë në 17 qershor në “Arenën Air Albania”, ndërsa në datën 20 luan në fushën e Ishujve Faroe, ndërsa ndeshja e parë eliminatore e Europianit u humb 0-1 në Varshavë ndaj Polonisë.

Lista e kombëtares

Portierë: Thomas Strakosha, Etrit Berisha, Elhan Kastrati, Simon Simoni.

Mbrojtës: Ivan Balliu, Elseid Hysaj, Mario Mitaj, Berat Gjimshiti, Frederik Veseli, Enea Mihaj, Adrian Bajrami, Ardian Ismajli, Andi Hadroj.

Mesfushorë: Klaus Gjasula, Ylber Ramadani, Kristjan Asllani, Amir Abrashi, Nedim Bajrami, Keidi Bare, Qazim Laçi, Anis Mehmeti.

Sulmues: Ernest Muçi, Myrto Uzuni, Taulant Seferi, Jasir Asani, Sokol Cikalleshi, Armando Sadiku.

Sfidanti.al