Që Kategoria Superiore është një kampionat i mbajtur në këmbë nga oksigjeni artificial dhe jo nga logjika e biznesit, kjo tashmë është shumë e qartë. Me stadiumet e boshatisur e si rrjedhojë shumë pak të ardhura në arka, por edhe pa interes të theksuar të sponsorve për të mbështetur një lojë të sajuar, burimi i vetëm i klubeve janë të premtimet e FSHF-së.
Imagjinoni në një univers paralel: Reali i Madridit që pret fjalën e Tebasit për të paguar lojtarët? Kjo ndodh praktikisht në Shqipëri ku deri diku një organizim më serioz e ka Egnatia e Dinamo, ndërsa pjesa tjetër e klubeve nuk dihet se si I paguajnë lojtarët e tyre me këtë model biznesi. FSHF deklaron se për fituesin e “Final Four” do të paguhen plot…10 milionë lekë të rinj që llogaritur me çmimet sot, nuk afron as me vlerën e një hyrjeje 1+1 brenda unazës. Dhomë pa kuzhinë për futbollin elitar që i tillë është vetëm në letër sepse në realitet, sot klubet janë të detyruar të jetojnë në lagje informale.
Pirro Bardhyli

