Dalja në lot nga fusha e Mohamed Salahut, që në minutën e 30-të, ishte një nga momentet kulmore të finales së Championsit. Egjiptiani jo vetëm dobësoi ekipin me largimin e tij, por dëmtimi mund ta rrezikojë që të mos jetë në Kupën e Botës.
Një pjesë e madhe e tifozëve, liverpulas apo jo, e dinin mirë se kush ishte fajtori për këtë. Ata drejtuan gishtin te kapiteni i Realit, Sergio Ramosi. “Ramosi e dinte mirë se çfarë po bënte, – shkruan “Anfild Pres” në rrjetet sociale, – sërish hile nga Reali”. “Gjëja më e rëndë ishte se Ramosi nuk mori as karton të verdhë”, – shkruan një tjetër nën emrin Osas Kruz.
“Reali është kaq bastard, – komenton “Ultras 10”, – hile, hile, hile, njeh vetëm këtë. Ramosi e dëmtoi me qëllim Salahun”. “Ramosi është një nga qeniet më të djallëzuara humane, dhe të kujton se jeta nuk është e drejtë”, – nuk përmbahet Salim Masud Said.
Trajneri i Liverpulit, Jurgen Klop, e përmblodhi situatën në fare pak fjalë. “Sergio Ramosi me siguri nuk do të bëjë asnjë mik në Egjipt pas kësaj”, – u shpreh gjermani.
Sfidanti.al