Klop hedh poshtë frikën për Liverpulin: Leksionin e mora në Dortmund!

Humbja 0-4 në “Etihad” bëri që të dëgjohej ndonjë këmbanë e lartë alarmi. Pra, si ka mundësi që ky Liverpuli i rekordeve, dhe i trofeve të mëdha çdo sezon, të shpërfytyrohet në atë mënyrë përballë rivalit kryesor, Mançester Siti? Mos vallë, e ardhmja nuk do të jetë kaq e ndritur për ekipin e Jurgen Klopit? Vetë trajneri liverpulas thotë se nuk ka asnjë shqetësim për këtë.

“E ardhmja e Liverpulit nuk mendoj se do të jetë edhe kaq e keqe, – u shpreh gjermani, – unë kam fituar përvojë në këto gjëra, kur isha tek Dortmundi. Në 2011 ne fituam titullin në Bundesligë duke qenë 10 pikë para Bajernit, por gjatë verës së radhës nuk bëmë ndonjë gjë të madhe. Na iku Nuri Shahini dhe morëm Ilkai Gyndoganin. Nuk pritej që ne të dilnim sërish kampion, sepse përballë ishte Bajerni, i cili kur e mund një herë, reagon fort. Gjithsesi, ne u stërvitëm fort, punuam shumë dhe ia dolëm asaj që dukej si e pamundur”.

Gjithsesi, Klopi thotë se në fillim të sezonit, Dortmundi ishte në vend të 7-të dhe kritikat në media nuk pushonin. “Këto gjëra ndodhin në futboll, por ne reaguam, – vazhdoi trajneri, – në fund ne thyem rekordet dhe fituam titullin me 81 pikë. Unë jam përgatitur për sezonin tjetër (me Liverpulin), dhe për kritikat tuaja (të gazetarëve) nëse ne nuk e fillojmë mirë, por Liverpuli është vërtet një skuadër shumë e mirë”.

Sfidanti.al