Me pesë gola dhe dy asistë në 8 ndeshje po i afrohet niveleve të atyre që konsiderohen më të shquarit e sulmit në Europë. Erik-Maksim Çupo-Moting nuk është cilësuar kurrë i tillë, por këtë sezon papritur ky 33-vjeçar është kthyer në një “bishë” të vërtetë, siç e tregoi në fitoren 3-2 në fushën e Hertës në Berlin. Detyra në Bundesligë u krye, pas asaj në Champions dhe Çupo-Moting e realizoi “normën” e tij. Çupo-Moting realizoi në minutat 37-të e 38-të, pra me “breshëri”, duke ndjekur nga pas golin e shënur nga “margaritari” Xhamal Musiala. Në total, këtë sezon, gjigandi (1.91 metra) nga Kameruni ka 10 gola dhe 3 asistë në 14 ndeshje.
“Kjo është bota e Çupos, – shkruajnë mediat bavareze, – ne të gjithë po jetojmë në të. Ai e bëri përsëri”. “Si sulmues duhet të jesh gjithmonë pranë vendit ku shënohen golat, – thotë sulmuesi, – duhet të presësh topin në këmbët e tua. Unë isha aty dhe shënova. Jam i lumtur për veten time, por sidomos për ekipin”. Si do të jetë e ardhmja? “Unë jam i përqëndruar vetëm tek Bajerni këtu dhe tani, – shton Çupo-Motingu, – Unë jam shumë, shumë i lumtur dhe e imagjinoj veten të qendroj më gjatë këtu”. Një “muzikë” për veshët e tifozëve të Bajernit.
Sfidanti.al