Gjatë orëve të fundit, një ngjarje normale në dukje, ka trazuar ujërat e qeta në kupolën e shtëpisë që drejton lojën e futbollit në vend. Babai i njërit prej ish-lojtarëve të Kombëtares, ka kërcënuar kreun e FSHF-së me mesazhe e madje edhe me veprime konkrete, për mospërfshirjen e djalit të tij në grumbullim me ekipin kuqezi. Policia ka prangosur 5 prej tyre, dy prej të cilëve futbollistë aktualë. Një ngjarje shqetësuese, jo vetëm për shkak të rrezikut që mund t’i kanoset drejtuesit më të lartë të FSHF-së por edhe për vetë imazhin e dinamikat në futbollin shqiptar.
Kjo ngjarje tregon edhe një herë se klubet në ligat inferiore e ndoshta edhe në Superiore, janë transformuar si sanxhaqet e dikurshme ku ligjin e bën i forti i zonës duke i dhënë një imazh kriminal gjithë kësaj loje në vendin tonë. A është vërtet kështu? Me shumë mundësi po, sepse prej vitesh klube që janë thjesht vetëm stema, menxhohen nga elementë të rrezikshëm e madje kriminelë ndërsa askush në qëndër nuk është shqetësuar për t’i audituar e për t’ua hequr nga duart. Gjesti i babait të ish-portierit të Kombëtares na dha një tjetër lajm të madh sepse në të tilla nivele, asnjëherë më parë nuk ka ndodhur që kërcënimi të ngjitet horizontalisht kaq lart për shkak të Kombëtares. Në një vit kur skuadra luajti madje edhe në Euro 2024, duhet të kthehemi shumë kohë pas për të kujtuar situata të ngjashme e të sikletshme që lidhen me fanellën kuqezi dhe sigurisht që ky nuk është aspak një lajm i mirë, të paktën për imazhin e Kombëtares.
Nga Pirro Bardhyli