Kapelo dhe Saki përplasen për Interin e Simone Inzagit

Kanë qenë që të dy trajnerë të shkëlqyer, por sipas mënyrës së tyre. Arrigo Saki ishte “holandezi” i futbollit italian, një gjeni i spektaklit dhe lojës sulmuese me Milanin e tij që u bë simboli i lakmuar i Europës. Fitoi dy Champions dhe një Seri A, dhe me Italinë arriti finalen e Kupës së Botës në 1994 në SHBA. Fabio Kapelo, nga ana tjetër, ishte trajneri pragmatist, me rezultatin mbi spektaklin, edhe pse skuadrat e tij kishin ofensivë dhe presion, kishin personalitet dhe mentalitet sulmues. Fitoi 4 tituj në Serinë A dhe një Champions me Milanin, fitoi 2 tituj me Realin e Madridit kur askush nuk shpresonte, si dhe dy tituj me Juventusin të hequr pastaj nga Kalçopoli.

Të dy këta mjeshtra janë përplasur në distancë për Interin e Simone Inzagit. Saki mendon se humbja në Bolonjë ishte një “rrëshqitje e shëmtuar”, duke e kritikuar trajnerin zikaltër se “ka hequr dorë këto kohë nga dominimi i lojës dhe nga presingu”, e duke e nxitur që të “ngrihet sa më shpejt në këmbë”. Kapelo ka mendim shumë më të mirë për Inzagin, duke thënë se “Interi i tij praktikon futboll sulmues, bën presion, por nuk ka cilësinë e duhur, ka lojtarë më pak vertikalë sesa Konte”. Për Kapelon, Interi mbetet sërish favorit duke pasur parasysh kalendarin, ndonëse pohon se “kampion del ai që gabon më pak”.

Sfidanti.al