Nëse duhet të humbësh, duhet ta bësh si heronjtë. Kështu u eleminua edhe Barcelona nga Liga e Kampionëve, në përfundim mesa duket me të vërtetë të një tjetër cikli. Lavditë e vjetra si Pike, Zhordi Alba, Buskets apo Iniesta nuk mundën ta rrëzonin përtokë “Murin Juventus”, por arritën ta bënin një skuadër kaq të madhe që të dukej e vogël. Zotërim i plotë i çerekfinales së dytë me 65 për qind të mbajtjes së topit përballë një ekip plot me kampionë, veçse golat e shënuar ishin 0.
Barça që kishte shënuar çdo 30 minuta këtë Champions, ndaj Juventusit nuk ia doli për plot 180. Po ashtu, pati 19 gjuajtje drejt portës, me vetëm një apo dy në kuadrat, statistikë që tregon shumë. Përballë katalanasve ishte mbrojtja më e fortë e Europës, veçse jo një skuadër që mbetet në histori, siç ka qenë për shembull Juventusi i Marçelo Lipit i viteve 1995-1998. Me të drejtë, BBC komentonte se “imagjinoni sikur në gjysmëfinale të luante Monako me Juven, sulmi më i fortë dhe mbrojtja deri në mizerje”.
Juventusi u kujdes për kualifikimin, jo për spektaklin. Realizoi diçka të madhe që nuk lejoi një klas si Mesi, Nejmar apo Suarez të mos shënonte, dhe pati një saktësi të jashtëzakonshme në fazën mbrojtëse, duke qenë gati për çdo gjë që mund të shpiknin apo kombinonin vendasit. Kielini, Bonuç, Dani Alvesh dhe një potier i madh si Bufon, u ndihmuan edhe nga Pjaniç, Kedira, Kuadrado, madje edhe Manxhukiç apo Higuain për të realizuar “epopenë”.
Suksesi i ndeshjes së parë 3-0 ndikoi shumë dhe u pa qartë se, pavarësisht besimit dhe deklaratave të katalanasve, ishte tjetër gjë t’i shënoje gol Juventusit të Alegrit. Torinezët po realizojnë një sezon vërtet të madh, ndoshta edhe më të madh sesa ai i dy viteve më parë, kur eleminuan Realin dhe arritën finalen e Championsit. Oreksi ka ardhur duke ngrënë dhe tani i synojnë të tre trofetë e mëdhenj.
Ndërkaq, për në gjysmëfinalen e Championsit i shoqëroi Monako, që mundi dhe turpëroi sërish Dortmundin, këtë herë 3-1. Nuk pati atentat ndaj autobusit të gjermanëve, me përjashtim të sulmit “atomik” të vendasve që shënuan me anë të Mbapesë, Falkaos dhe Zhermenit, ndërsa Rojs shkurtoi shifrat për miqtë.
Sfidanti.al