Juventusi ia del me treshen RHD, por Milani nuk di të fitojë!

“Mos u mërzit se pas një dite të keqe vjen mëngjesi i ri”. Kjo ishte një nga shprehjet “perlë” të Kristiano Ronaldos në fillim të këtij sezoni, ndërsa superylli portugez po kalonte një moment të vështirë. Dielli i mëngjesit ka lindur për CR7-ën që shënoi dy gola në fitoren 3-1 të Juventusit ndaj Udinezes. Asnjë problem në stadiumin e Torinos, ku treshja e sulmit RHD funksionoi shkëlqyeshëm.

Ronaldo shënoi dy gola, Gonzalo Higuain ishte i rëndësishëm, ndërsa Paulo Dibala u tregua në formë të shkëlqyer, duke i munguar vetëm tundja e rrjetës. Një gol u shënua edhe nga mbrojtja, e pikërisht nga Bonuçi. Një notë të lartë mori edhe Demiral, lojtari i mbrojtjes që kërkohet nga shumë klube në Europë, por që Mauricio Sarri nuk dëshiron ta humbasë. Juventusi ka 39 pikë në 16 ndeshje, duke qenë në garë të plotë për titullin kampion.

Po Milani? Nuk po arrin të fitojë, dhe nuk e bëri dot edhe pse luajti në “San Siro” ndaj Sasuolos. Nuk është se kuqezinjtë nuk luajtën, përkundrazi u përpoqën shumë. Ata u ndalën nga shtyllat dhe nga forma e shkëlqyer e portierit mik, Pegolo, që pati edhe fat. Gjithashtu, kundër Milanit ishte edhe VAR-i. Milani i Piolit mbetet prapa, dhe me 21 pikë do të ketë gjithnjë e më të vështirë të synojë zonën Champions, ku ka skuadra të renditura më mirë si Roma e Kaljari, po ashtu Atalanta, apo edhe një “peshë të rëndë” si Napoli që mund ta marrë veten.

Sfidanti.al