Juve-Totenhem premtojnë spektakël në Champions dhe pa Dibalën

Juventusi është Juventusi dhe ka fituar më shumë respekt për veten këta vjet. Totenhemi është Totenhemi, një skuadër angleze, pra agresive pavarësisht se në cilën fushë luan. E pra, sfida e turit të dytë në Torino (20:45), mes tyre, premton të jetë një spektakël, dhe trajnerët nuk e ftohin entuziazmin.

“Nuk do të luajmë për 0-0, ose të paktën do të luajmë që të mos pësojmë gol, – thotë “Maks” Alegri, – është rritur shumë respekti për vetveten pas rezultateve të viteve të fundit”. Alegri nuk zbulon gjë për formacionin, por thjesht bënë shaka duke thënë se “do të bëj një herë një gjumë të mirë dhe do të vendos përpara ndeshjes, apo mos mendoni se do të rri zgjuar?”

Trajneri juventin vlerëson se skuadra e tij ka të njëjtat shanse si Totenhemi për të kaluar turin, ndërsa vlerëson lart anglezët. “Ekip i aftë të luajë në zona të ngushta, të përmbysin aksionet dhe të të ndëshkojnë në kundërsulm, – thotë ai, – janë të fortë fizikisht dhe teknikisht”.

Problemi më i madh i kampionëve të Italisë është mungesa e Paulo Dibalës, që nuk është ende në formë edhe pse u stërvit me ekipin.

Po Maurisio Poçetino çfarë mendon? Strategu i Spërsave është në Torino me ide të qarta. “Ne do të luajmë me agresivitet, – shprehet argjentinasi, – do të luajmë me guxim, do të përpiqemi të fitojmë, por duke pasur respektin maksimal për kundërshtarin”. Trajneri i “gjelave” thotë se “në ndeshje të tilla duhet besim, pavarësisht nga sistemi me të cilin luan”.

Sfidanti.al