Jürgen Klopp, trajneri i Liverpoolit nga viti 2015 deri në 2024, ka reflektuar mbi dy gabime në merkato që mund ta kenë penalizuar gjatë periudhave të tij te “The Reds” dhe Borussia Dortmund.
Mundësia e humbur për të nënshkruar me Son Heung-min
“Mund të kisha transferuar Son Heung-min nga Tottenhami. As që më kujtohet pse nuk u mbyll marrëveshja dhe vetëm kur u përballa me të në Premier League, mendova: ‘O Zot, sa budalla që ke qenë (që nuk e ke transferuar)’.
Është çmenduri,” pranoi Klopp gjatë një eventi në Cape Town (Afrikë e Jugut), në përvjetorin e Hout Bay United Football Community.
De Bruyne dhe Mané, dy yje të humbur
Gazeta angleze “The Mirror” ka raportuar se Klopp gjithashtu ka pranuar se ishte shumë pranë transferimit të Kevin De Bruyne kur drejtonte Borussia Dortmundin.
“Kevin De Bruyne ishte kaq afër (afron dy gishtat). Më pas ai na shkatërroi në finalen e Kupës me Wolfsburgun,” kujtoi ai.
Klopp gjithashtu rrëfeu se e kishte humbur mundësinë për të nënshkruar me Sadio Mané gjatë kohës që ishte te Dortmundi, por më vonë e korrigjoi këtë gabim duke e marrë te Liverpooli në vitin 2016.
Nuk pendohet për të kaluarën
Duke reflektuar mbi këto vendime të merkatos, Klopp tha: “Nuk mendoj se ka shumë kuptim të pendohesh për gjërat që ke bërë. Me siguri në atë moment ke bërë më të mirën që ke menduar, prandaj pranoje dhe vazhdo përpara.”
sfidanti.al