Jeta në burgun e Moskës ishte shumë e vështirë dhe e bëri të mendonte se kishte prekur fundin. Ky është thelbi i rrëfimit të basketbollistes amerikane, Brittney Griner, e cila u ndalua në aeroport dhe u akuzua për mbajtje të lëndëve narkotike e kjo ndodhi në fillim të luftës me Ukrainën. Në një intervistë për CNN, kampionia e WNBA thekson se gjatë 300 ditëve të qëndrimit në qeli është ndier e shkelur në aspektin human. Dy herë kampione olimpike, Griner u dënua fillimisht me 9 vjet heqje lirie por ajo u kthye në shtëpi falë marrëveshjes për shkëmbimin e të burgosurve. “Në burg duhet të bësh gjithçka për të mbijetuar. Dysheku ishte me njolla gjaku, ndërsa në qeli nuk kisha sapun apo letra tualeti. Kisha shumë frikë sepse aty gjithçka ishte e panjohur”, shton Griner, e cila tashmë është bashkuar me Phoenix Mercury ndërsa ka nisur të shkruajë kujtimet e kohës së vështirë në burgun rus. “Me këtë libër që do të publikoj, shpresoj që të ndihmoj amerikanët e burgosur kudo ndodhen në botë”, përfundon ajo rrëfimin në intervistën dhënë gazetarit Robin Roberts. Griner është 9 herë pjesëmarrëse në “All Star Game” dhe një herë kampione e WNBA në vitin 2014.
sfidanti.al