Inzagi shprehet me besim, por Murinjo sërish respekton Interin e nuk flet

Trajneri i Romës e kishte bërë edhe dy herë të tjera këtë sezon, dhe e përsëriti për herë të tretë. Zhoze Murinjo ka zgjedhur këtë mënyrë për të shprehur respektin për ish-skuadrën e tij, Interin, me të cilën është shumë i lidhur emocionalisht. Edhe pse do të kërkojë të fitojë në fushën e “San Siros” me Romën e tij, sërish portugezi ndjen detyrim që të mos flasë keq për zikaltërit, ndaj edhe e ka qepur gojën. Ku i dihet gazetarëve, mund të bëjnë pyetje me “spec” dhe krijohen probleme. Kështu ndodhi edhe në fazën e parë të Serisë A dhe përpara ndeshjes së Kupës së Italisë. Nga ana tjetër, Simone Inzagi zgjedh që të dalë në konferencën për shtyp duke e cilësuar Romën si “një nga skuadrat më të forta të kampionatit dhe në moment shumë të mirë forme”. Trajneri i Interit e vlerësoi Murinjon si “trajner shumë të madh”, dhe deklaroi se fitorja në derbi ka dhënë besim.

Sfidanti.al