Për momentin nuk po arrijnë ta zbresin nga froni, edhe pse nuk ka përfunduar ende faza e parë. Një Milan që as nuk pritej të ishte atje, mban vendin e parë në Serinë A, duke i dhënë një përgjigje Interit që mundi 2-0 Juventusin të dielën. E hëna ishte dita e përcaktuar dhe Zllatan Ibrahimoviç shënoi dy herë për fitoren po 2-0 ndaj Kaljarit. Ibrës iu deshën vetëm 7 minuta për të gjetur golin në rikthim. Më pas, suedezi shënoi edhe 7 minuta pas fillimit të pjesës së dytë, ndërsa Milani përballoi përjashtimin me të kuq të Zelemekersit në 74’. Në ndeshjen e radhës, atë të vështirën ndaj Atalantës nuk do të jenë as Zelemekers dhe as Romanjoli, të skualifikuar, por ndoshta mjafton Ibra. Humbja 1-3 ndaj Juves në “San Siro” sikur është lënë pas dhe fitoret po vazhdojnë, qoftë edhe me shumë vështirësi siç ndodhi në Kupë ndaj Torinos. Milani ka 43 pikë në 16 ndeshje, ndërsa Interi e ndjek me 40.
Sfidanti.al