E pranon më në fund që nuk është një Supermen, dhe se nuk mundet të bëjë gjithçka. Batutat për “mbretërit” dhe “perënditë”, i ka lënë për momentin Zllatan Ibrahimoviç, i cili duhet të mendojë për dëmtimin e pësuar pas ndeshjes me Lacion. “Mendërisht jam shumë i fortë, – thotë suedezi, – por, fiziku jo gjithnjë e ndjek mentalitetin, ndaj nuk duhet të rrezikoj. Nuk dua që të rri shumë ndeshje pa luajtur, siç ndodhi vjet. Problemi im është se unë dua të punoj shumë dhe kjo ndonjëherë bën keq”. E thënë shkurt, Ibra rrezikon të mos jetë ndeshjen Juventus-Milan në Serinë A, një mungesë shumë e rëndësishme, por vetë ylli thotë se nuk është vendimtare. “Ekipi e ka kuptuar tashmë se çfarë do të thotë që të fitosh dhe të jesh pretendent për titull, – thotë ai, – nuk është vetëm merita ime që kemi arritur deri këtu”. Gjithsesi, Ibra ka një paralajmërim për Kesin. “Do të kërkoj që t’i gjuaj unë penalltitë tek Milani”, – thotë ai.
Sfidanti.al