I përfundon kontrata për 2 javë, por Reja ka plane të mëdha për Superligën!

Respekti për karrierën e tij, po ashtu për moshën, padyshim që duhet të jetë i madh. Edi Reja ka shkruar faqe historie në futbollin italian, ndërsa ka arritur disa rezultate të rëndësishme në stolin e Shqipërisë (si dy fitoret me Hungarinë), por gjithsesi vërejtjen e kemi “në majë të gjuhës”, ndërsa dëgjojmë konferencën e tij për shtyp përpara miqësores me Italinë. Përtej zbulimit (krejt normal) se ai ndihmoi që të realizohej kjo miqësore, dhe përtej emocioneve totalisht të pritshme si një italian, ishte diçka tjetër e Rejës që tërhoqi vëmendjen. Ai foli për një plan të madh për të integruar sa më shumë lojtarët e kampionatit shqiptar me kombëtaren.

“Ka edhe lojtarë të tjerë që e meritojnë, të cilët nuk munda t’i thërras, por po pres një mundësi tjetër, – tha ai, – ë këtë periudhë dua që të vij më shpesh në Shqipëri. Dua që herë pas here të grumbulloj 23 apo më shumë prej tyre për të pasur mundësi që disa prej tyre t’i kemi edhe në ndeshjet zyrtare. Gjithsesi, ka diferencë ritmi në krahasim me kampionatin. Lojtarët më thanë se stërvitjet në kombëtare ishin të vështira. Për fat, gjatë ndeshjeve nuk më zhgënjyen, ishin të jashtëzakonshëm”.  Nuk dihet nëse dikush i tha thënë trajnerit se kontrata e tij mund të mos rinovohet pas 2 javësh, dhe nëse mund ta pyesë se përse ky “Grand Plan” nuk është zbatuar më parë!

Sfidanti.al