Heroizëm dhe tragjedi, alpinizëm në “Malin e Vdekjes” në Himalaje

Është një nga “8 mijë metërshat”, një nga malet më të lartë e më të frikshëm të botës. Ndodhet në Himalaje (e ku tjetër!) me lartësinë 8126 metra mbi nivelin e detit, duke qenë në vend të 9-të në klasifikimin e kryesuar nga Everesti (apo Xhomolungma). Quhet Nanga Parbat, përkthehet “Mali i Zhveshur” nga gjuha urdu, por njihet edhe si “Mali i Madh” apo “Mali i Vdekjes”, pasi është një nga më të vështirët për t’u ngjitur, më i vështirë se Everesti, dhe tepër piktorest.

Tragjedia e fundit në Malin e Zhveshur ndodhi këto ditë, me dy alpinistë që arritën të ngjiteshin në majë, duke u bërë të dytët në histori që ia dalin në stinën e dimrit.

Elizabetë Revol, franceze, dhe polaku Tomash “Tomek” Mackieviç nisën ngjitjen në 20 janar për të arritur majën në 8126 metra, por gjatë zbritjes Mackieviçi pati një sëmundje akute të maleve, për mungesë oksigjeni, dhe po ashtu iu ngrinë pjesë të trupit. Elizabeta i mbijetoi temperaturave -40 gradë Celsius, por Tomeku vështirë t’ia dalë.

Ishin katër specialistë të shpëtimit, që të katër polakë, që shpëtuan francezen. Denis Urubko, Adam Bielecki, Jaroslav Botor e Piotr Tomala ia dolën të bënin mrekullinë. Një mrekulli e realizuar natën, pra në kushte shumë më të vështira se normalisht.

A do të mbërrihet tek Tomek Mackieviçi? Do të jetë shumë e vështirë me temperatura deri -67 gradë Celsius dhe erëra me shpejtësi deri 100 km në orë. “Nuk mundemi ta shpëtojmë”, – thotë ekipi i ndërhyrjes së shpejtë. Tomeku arriti ta ngjiste Malin e Zhveshur në tentativën e 7-të, dhe tani do të mbetet përjetë aty.

Sfidanti.al