Hasi dhe Hysaj në Champions, Cikalleshi jo hero në bëmat e Bashaksehirit!

Besnik Hasi e tregoi vlerën e tij dhe tani do të jetë edhe më i respektuar. U kualifikua për në fazën e grupeve në Ligën e Kampionëve, në stolin e Olimpiakosit të Pireut, duke e arritur këtë nivel të lartë me të tretën skuadër. Më parë, me Anderlehtin dhe Legian e Varshavës. Klubi grek e mori trajnerin gjakovar pikërisht për Championsin, pas eleminimit të dhimbshëm vjet në plej of, dhe ai ia shpërbleu. Rijeka, kampione e Kroacisë, u mposht për së dyti, këtë herë 1-0 në stadiumin e saj “Kantrida”, me golin e miqve shënuar nga sulmuesi gjerman, Marko Marin. Pikërisht, Marin shkoi dhe përqafoi trajnerin e tij pas golit (siç shihet në foto), duke e falenderuar për besimin dhe udhëzimet e sakta. Tashmë, Hasi pret shortin e 24 gushtit për të mësuar kundërshtarët në fazën e grupeve, dhe për të synuar kualifikimin për në 16 skuadrat më të mira, shkurtin e ardhshëm.

Kualifikim si hero edhe për Elseid Hysajn. Mbrojtësi shqiptar luajti pa u kursyer fare në radhët e Napolit, në Nisë të Francës, pasi kartoni i kuq nuk do ta lejojë të luajë këtë fundjavë në Serinë A. Ai ishte titullar dhe i padiskutueshëm për 90 minuta, ndërsa napolitanët u kualifikuan bindshëm, me një tjetër fitore 2-0, si në përballjen e parë. Kajehon e Insinje shënuan golat.

Sokol Cikalleshi nuk mundi të ishte aspak pjesë e betejës heroike, edhe pse të dështuar të Istanbul Bashaksehirsporit. Sulmuesi shqiptar u la në tribunë, ndërsa goditja e dënimit e Emresë mund t’i kishte dhënë turqve kualifikimin ndaj Seviljes, brenda në Spanjë, me gol në fushë kundërshtare. Përfundoi 2-2, ndërsa në Turqi, Sevilja fitoi 2-1. Eljero Elia kaloi stambollinjtë në epërsi, Eskudero e Ben Jeder përmbysën shifrat, por Viska barazoi në 82’, dhe Emre në fund thuajse bëri mrekullinë.

Mrekullinë e bëri Maribori slloven që eleminoi kampionen e Izraelit, Hapoel Ber Sheva me gol në fushë kundërshtare (1-0, 1-2, rrjetë shënuar nga Mitja Viler në 15’), kurse Sëlltikut nuk i prishi punë humbja 3-4 në Kazakistan me Astanën, pasi kishte fituar 5-0 në Skoci.

Sfidanti.al