Po shtohen, gjithnjë e më shumë zërat, se shorti i Premier Ligës angleze nuk është i dyshimtë, por është i “dirigjuar” nga lart dhe fajtor kryesorë janë paratë! Kështu, pretendohet se kalendari i ndeshjeve të Premier Ligës caktohet në një mënyrë të tillë që gjashtë ekipet e parë, pra, më të mirë, të mos luajnë njëri me tjetrin as në fillim të kampionatit dhe as në fund të tij. Kjo do të thotë se shorti është i “dirigjuar” dhe se ai u jep përparësi klubeve të mëdhenj, duke u siguruar atyre edhe fitime më të mëdha. Si ka mundësi?
Së pari, raundi i parë luhet zakonisht andej nga gjysma e gushtit, me fjalë të tjera, kur ka një shikueshmëri të dobët, pasi bëhet fjalë për një kohë pushimesh, shumë veta, pra tifozë, janë jashtë Anglisë dhe një gjë e tillë ndikon jo vetëm mjaft të vajtja në stadium, por edhe tek ata njerëz që i ndjekin ndeshjet në TV.
Së dyti, fjala është për raundin e fundit. Në një situatë të tillë, ka shumë mundësi që të luhen ndeshje derbi, të cilat askush nuk do të mund t’i shihte të gjitha, sepse, sipas rregullave në fuqi, ndeshjet e raundit të fundit zhvillohen në të njëjtën orë.
Në këtë mënyrë, ata që drejtojnë Ligën, duan që të sigurojnë një shikueshmëri sa më të madhe, sepse kështu e kërkon edhe marrëveshja për të drejtat televizive, por këtë gjë nuk e dinë tifozët që, gjithnjë, dyshojnë se përse nuk ka ndeshje derbi në raundet e parë dhe të fundit të kampionatit.
Po ashtu, klubet më të mirë nuk luajnë njëri me tjetrin, kur janë planifikuar që të zhvillohen ndeshjet gjysmëfinale të FA Kupës që në Angli e heq vëmendjen nga Premier Liga. Në ndryshim nga vendet e tjera, Kupa e Anglisë ka një rëndësi të madhe, sepse, në fund të fundit, bëhet fjalë për konkurrimin më të vjetër futbollistik në botë.
Sfidanti.al