Hamiltoni fitoi çmendurinë e Xhedës, rivalët shkojnë barazim në garën finale!

Rrallë mund të ketë pasur një garë kaq të paimagjinueshme sa kjo. Në historinë e Formula 1, Çmimi i parë i Madh i Arabisë Saudite do të mbetet si çmenduria e madhe, ku pati kaq shumë ndodhi, kacafytje, përplasje, flamuj të kuq, makina sigurie dhe emocione për infark, saqë nuk mbahet mend kur ka ndodhur për herë të fundit. Në fund, flamurin me kuadrata e kaloi i pari Ljuis Hamilton me Mercedesin duke lënë pas rivalin e tij më të madh, Maks Verstapen me Red Bull. Valteri Botas, me Mercedesin tjetër, parakaloi në metrat e fundit Sebastian Okonin për 1 të dhjetën e sekondës!

Dy makinat Mercedes u nisën të parat, me Verstapenin të tretin, por një përplasje e Mik Shumaherit bënë që të kishte një nisje të dytë për shkak të flamurit të kuq. Verstapen nuk ndërroi gomat duke dalë në vend të parë. Kur u bë nisja, në xhiron e 15-të, Hamilton parakaloi, por holandezi doli jashtë kufijve të pistës duke rimarrë vendin e parë. Kjo u ndëshkua nga komisarët e garës, por më vonë. Menjëherë pas këtij momenti, Sergio Perez u përplas me barrierat dhe sërish pati flamur të kuq.

Në nisjen e dytë, Okon ishte i pari, Hamilton i dyti dhe Verstapen i treti. Sërish holandezi bëri mrekullinë duke dalë i pari, por në xhiron e 37-të Hamilton sulmoi për parakalim dhe Verstapeni sërish doli nga kufijtë e pistës për të mbajtur vendin e parë. Komisarët e dënuan sërish duke e detyruar t’i linte vendin e parë anglezit (plus 5 sekonda penallti), por aty ndodhi e papritura. Hamiltonit nuk i ishte thënë që Verstapni do ta lejonte kalimin, ndërsa holandezi uli menjëherë shpejtësinë. Pasoi një përplasje pasi Mercedesi goditi nga pas Red Bullin. Një keqkuptim? Ndoshta, por sërish Verstapeni ishte i detyruar ta përsëriste dorëzimin e kryesimit.

Në xhiron e 43-të, holandezi bëri një veprim të shkëlqyer, duke lejuar anglezin të kalonte, por duke shtuar menjëherë shpejtësinë për ta parakaluar, ndërsa kampioni i botës u duk në gjumë. Megjithatë, pak kthesa më pas Hamiltoni parakaloi duke e mbajtur vendin e parë deri në fund. Anglezi pati edhe xhiron më të shpejtë, pra fitoi edhe një pikë shtesë. Të dy pilotët tani kanë nga 369.5 pikë, me Verstapenin sërish në vend të parë, ndërsa titulli vendoset në Abu Dabi pas një jave.

Sfidanti.al