Grezda asist dhe Çekiçi gol në Kroaci, në sytë e De Biazit!

Ishte një ditë e mbarë për futbollistët shqiptarë në Kroaci, por edhe për trajnerin e kombëtares, Xhani De Biazi. Italiani udhëtoi drejt Zagrebit për të ndjekur Eros Grezdën, sulmuesin që e ka thirrur disa herë së fundmi në ekip, dhe nuk mbeti i zhgënjyer. Grezda dha asist, dhe ish-kapiteni i Shpresave, Endri Çekiçi, realizoi gol, në suksesin e Lokomotivës së Zagrebit ndaj Osijekut. Kjo ndodhi në minutën e 30-të të ndeshjes në kryeqytetin kroat, kur shqiptari i Kosovës, Grezda, harkoi me të djathtën në zonë, dhe shqiptari i Shqipërisë, Çekiçi, shënoi me kokë në portën e miqve.

Falë edhe shqiptarëve, Lokomotiva mban vendin e katërt në ligën e parë kroate, ndërsa Grezda dhe Çekiçi luajnë si sulmues, por në krah. Besohet se të dy lojtarët mund të marrin ftesa nga De Biazi për ndeshjen e Botërorit ndaj Italisë, edhe pse më shumë gjasa ka Grezda.

Sfidanti.al