Dyshimet janë shtuar shumë për këtë skuadër. Milani mund të jetë 19 herë kampion i Italisë dhe 7 herë kampion i Europës, por ky sezon në Serinë A duket se po mbyllet si mos më keq. Në fushën e një skuadre normalisht inferior si Parma, me detyrën për të fituar për të mos rrezikuar objektivat, të besuarit e trajnerit Xhenaro Gatuzo nuk mundën të jepnin përgjigjen e duhur.
Nuk mund të thuhet se thjesht nuk përballuan presionin që sa vjen e rritet, pasi ajo që ndodhi në stadiumin “Enio Tardini” ishte edhe më keq. Milani bëri një ndeshje të shëmtuar, që duhej ta kishte humbur, kaq e madhe ishte epërsia e Parmës në lojë dhe në raste. Ishte fat i madh, disa herë zotësi e portierit Donaruma dhe gabime të vendasve që nuk i dhanë suksesin emilianëve.
U duk madje se destini ishte plotësisht kundër tyre, kur Milani shënoi me rastin e vetëm që krijoi gjatë gjithë 90 minutave, me autor goli Santi Kastijehon. Gjithsesi, lombardët nuk ishin në gjendje as të përfitonin nga fati, duke u barazuar në fund. Çfarë problemesh ka kjo skuadër? Kritikët thonë se nuk ka cilësinë e duhur, ndërsa trajneri Gatuzo deklaroi se ndoshta ai nuk është aq i mirë sa për të sjellë suksesin në një klub kaq të madh.
Milani ka 56 pikë, kur duhen edhe 5 javë deri në fund të kampionatit, dhe rrezikon seriozisht kualifikimin për në Champions sezonin e ardhshëm.
Sfidanti.al